Sonte në orën 20:45, Kosova luan në Lubjanë ndeshjen vendimtare ndaj Sllovenisë për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ndërsa tifozët kosovarë që do të jenë në stadiumin “Stozhice” janë paralajmëruar të respektojnë rregulla të veçanta sigurie.
Sipas organizatorëve, tifozët e Kosovës duhet të mbërrijnë më herët, pasi dyert e stadiumit hapen në orën 18:45. Qëllimi është shmangia e tollovisë në hyrje, pas interesimit të madh për ndeshjen.
Rregulli më strikt lidhet me simbolet kombëtare. “Dardanët” lejohen të mbajnë flamuj e simbole vetëm në sektorin D, sektor i dedikuar ekskluzivisht për tifozët e Kosovës.
Nëse paraqiten me flamuj në sektorët A, B ose C, hyrja do t’u refuzohet.
Kosovës i mjafton një barazim për të siguruar plejofin drejt Botërorit 2026.
Kosova aktualisht mban vendin e dytë në Grupin B me 7 pikë, tri më pak se Zvicra që kryeson me 10 pikë. Vendi i parë siguron kualifikimin direkt në Kupën e Botës, ndërsa vendi i dytë çon në “Play-Off”, ku duhen edhe dy ndeshje të tjera për të marrë biletën e Botërorit.
Si kualifikohet Kosova direkt në Botëror?
Kosova e arrin Botërorin 2026 pa “Play-Off” vetëm nëse ndodh kjo seri rezultatesh:
- Kosova i fiton të dyja ndeshjet, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës;
- Zvicra nuk fiton ndaj Suedisë (barazon ose humb).
Në këtë rast: Kosova përfundon me 13 pikë, Zvicra me 11 ose 10 pikë,
dhe “Dardanët” kualifikohen si liderë të grupit.
Kosova siguron “Play-Off”-in nëse:
Fiton ose barazon ndaj Sllovenisë. Por edhe në rastin më negativ të dy humbjeve, ekziston një mundësi tjetër: Kosova humb të dy ndeshjet, Sllovenia humb ndaj Suedisë.