Seri e video të fabrikuara që paraqesin Kurtin duke folur në gjuhën serbe narrativën e Serbisë

“Kosova ka qenë serbe dhe ashtu do të mbetet. Kosova është Serbi”.

Në TikTok janë publikuar video të fabrikuara që paraqesin Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke folur në gjuhën serbe dhe duke përhapur narrativat pro-Kremlinit dhe Serbisë. Në këto video rrrejshëm pretendohet se Kurti ka folur kundër Adem Jasharit, shtetit të Kosovës dhe NATO. Profili që i ka publikuar këto video ka përdorë disa hashtag në gjuhën serbe dhe shumica e përmbajtjes lidhet me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje dhe zëdhënësi Arlind Manxhuka konfirmojnë se videot janë të rreme. Krypometër i ka testuar këto video përmes platformës WasitAI (arkiva), mekanizëm për të detektuar nëse imazhet janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe rezultatet kanë treguar një probabilitet të lartë që imazhet të jetë gjeneruar nga AI. Këto video janë gjeneruar duke përdorë një video të Kurtit i cili i kishte uruar Pashkët edhe në gjuhën serbe, por aty ai nuk i kishte thënë asnjë prej deklaratave të cilat i janë publikuar në TikTok.

Në Tiktok janë publikuar disa video, në të cilat Kryeministri në detyrë, Albin Kurti flet në gjuhën serbe dhe duke folur me narrativat dezinformuese të proklamuara nga Kremlini e Serbia.

Nëpër këto video, Kurti paraqitet kinse po flet për Adem Jasharin, ndërhyrjen e NATO në Kosovë dhe për shtetësinë e Kosovës.

Në një video (arkiva), Kurti pretendohet se thot se “Adem Jashari ka qenë narkotrafikant dhe terrorist”.

Kurse, në videon tjetër (arkiva) Kurti paraqitet duke thënë se “Kosova ka qenë serbe dhe ashtu do të mbetet. Kosova është Serbi”.

I njëjti profil që i ka publikuar këto video i ka publikuar edhe disa thurje (hashtag) në gjuhën serbe: SerbiaPërpara (#SrbijaNapred) dhe StopBllokadave (#StopBlokadama). Në këtë profil, pjesa më e madhe e videove të publikuara janë në gjuhën serbe dhe për situatën në Serbi.

Për të marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e kësaj partie, Arlind Manxhuka. Ai ka thënë se videot janë të rreme.

“Këto janë video krejtësisht të manipuluara dhe nuk qëndrojnë.”- ka thënë Manxhuka.

Krypometër i ka testuar këto video përmes platformës WasitAI (arkiva), mekanizëm për të detektuar nëse imazhet janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe rezultatet kanë treguar një probabilitet të lartë që imazhet të jetë gjeneruar nga AI.

Krypometër ka gjetur videon origjinale prej të cilës janë gjeneruar kjo seri e videove me Inteligjencë Artificiale.

Video origjinale është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës më 16.04.2023.

Në këtë video Kurti ka uruar në gjuhën serbe qytetarët e Kosovës të fesë ortodokse me rastin e festës së Pashkëve.

“Ne do të vazhdojmë kujdesin tonë për ju, besimtarë ortodoksë, edhe duke garantuar më tej lirinë themelore të besimit, si dhe sigurinë e përgjithshme. Ju uroj që festat t’i kaloni në gëzim dhe paqe së bashku me familjen dhe fqinjët tuaj. Fryma e Pashkëve ju dhuroftë paqe, drejtësi dhe begati të gjithë juve qytetarë tanë. Gëzuar Pashkët!” –  ka thënë Kurti në këtë video.

Ai në këtë video nuk ka folur për Adem Jasharin, NATO apo nënshtetësinë e Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur shumëherë për Heroin Adem Jashari dhe sakrificën dhe kontributin e familjes Jashari në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Kurti në fjalimin e mbajtur më 05.03.2025 kishte thënë se Ushtria e Kosovës u ngjiz nga Adem Jashari e shokët e tij, qysh në vitin 1989.

“Ushtria e Kosovës, që zuri fill më 1989 me grupin e Adem Jasharit në Drenicë, u ngjiz me disa pak armë personale dhe pajisje ushtarake, por që mbaheshin nga një grup njerëzish me përkushtim të madh dhe me vullnet të paepur.”- ka thënë Kurti.

Kurti e ka quajtur Adem Jasharin, Kryekomandant që kishte rolin qendror në çlirimin e Kosovës.

“Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi me Hamzën dhe babanë Shabanin, si dhe të gjithë të tjerët që iu bashkuan atij ditë dhe ata që vazhduan rrugën e idealeve të tyre në ditët, muajt dhe vitet e mëvonshme, bënë histori me përkushtimin më të madh dhe ndërgjegjen më të lartë.”- kishte deklaruar Kurti.

Në këto video të publikuara në Tiktok pretendohet se Kurti ka folur edhe për NATO. Por, Kurti, në disa fjalime të tij, e ka theksuar rëndësinë e intervenimit të NATO për çlirimin e Kosovën. Më 24.03.2023, Kurti kishtë thënë se ndërhyrja e NATO e ndaloi projektin gjenocidal të Millosheviqit për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë, të quajtur “Patkoi”.

Kurse në një takim që e kishte në New York, më 29.09.2025, Kurti kishte deklaruar se aeroplanët e NATO ishin shpresa e popullit të Kosovës.

“Në vitin 1999, NATO nisi Operacionin Forca Aleate për të ndaluar mizoritë masive dhe gjenocidin e kryer nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë. Gjatë 78 ditëve, NATO kreu më shumë se 38,000 misione ajrore, duke detyruar tërheqjen e forcave serbe dhe duke krijuar kushtet për administrimin ndërkombëtar dhe tranzicionin demokratik të Kosovës. Për popullin tonë, ky ishte çlirimi, momenti vendimtar kur u hap rruga drejt lirisë.”- kishte deklaruar Kurti.

Kurti nuk ka folur në gjuhen serbe në seancën plenare të Kuvendit

Më 01.11.2025 një faqe në Tiktok (arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti duke folur serbisht në seancën e Kuvendin e Kosovës.

Kurti shihet në foltoren e Kuvendit duke i sharë e fyer në gjuhën serbe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Listën Serbe.

Përmes kërkimeve në internet, Krypometër ka gjetur se kjo video është gjeneruar duke përdorë pamjet nga seancën e Kuvendit të Kosovës, që ishte mbajtur më 02.02.2023.

Krypometer ka analizuar këtë seancë dhe ka gjetur se gjatë fjalimit Kurti kishte folur në gjuhën shqipe. Tema e fjalimit të tij kanë qenë gjashtë kushtet për krijimin e Asociacionit.

Në videon e plotë të seancës, Kurti nuk është dëgjuar duke folur në gjuhen serbe as duke e përmendur Listën Serbe.

Një tjetër video që e lidhë Kurtin me Listën Serbe është publikuar në një faqe në Tiktok (arkiva) më 17.11.2025.

Në këtë video është paraqitur kryeministri në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin duke thënë në gjuhen serbe “Kosova është Serbi”, derisa është duke e vendosur në kuti të votimit një fletvotim me të njëjtin përshkrim.

Video është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Në video shihet logo e aplikacionit “Vidwud” aplikacion që mundëson gjenerimin e videove fiktive nëpërmjet inteligjencës artificiale.

Kurti nuk është parë ndonjëherë duke e vendosur një fletvotim me përshkrim të tillë. Fotografia e përdorur qarkullon në internet qe tetë vite. E njëjta është shkrepur gjatë votimit të Kurtit për zgjedhjet e 11 qershorit 2017 dhe nuk është bërë në zgjedhjet e fundit.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013, si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atë kohë kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi.

Që nga themelimi i saj, Lista Serbe ka fituar vazhdimisht të dhjetë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb, në përjashtim të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 09.02.2025. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e fundit, 9 mandate i ka fituar Lista Serbe dhe një mandat i ka takuar Partisë së Nenad Rashiqit, “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Më 6 nëntor 2022, Lista Serbe vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.

Ky vendim erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, me arsyetimin se i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Pas bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2023 në komunat më shumicë serbe në veri, në gusht 2025, Lista Serbe u rikthye duke i prezantuar kandidatët për kryetarë komunalë.

Ish nënkryetari i Listës Serbe ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur që ndodhi më 24 shtator 2023, në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar./Kallxo.com

Shija e redaktorit

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Të fundit nga rubrika