Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 36-vjetorin e themelimit të LDK-së, duke e cilësuar atë si “idenë më të madhe politike të Kosovës” dhe projektin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk ishte vetëm organizim politik, por besëlidhje popullore dhe rruga e vetme drejt shtetit, e udhëhequr nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.
Abdixhiku ka nderuar strukturat, anëtarët dhe veprimtarët e LDK-së ndër vite, si dhe ata që u flijuan për lirinë dhe shtetin, duke theksuar se sot përgjegjësia e partisë është më e madhe se kurrë – jo vetëm për fatin e LDK-së, por për fatin e Kosovës dhe orientimin e saj perëndimor.
“LDK ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit. Parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se Kosova ka nevojë për LDK-në më shumë se kurrë.