Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur planin qeverisës në Vushtrri.
Abdixhiku, ka bërë të ditur se në Vushtrri u prit me atmosferë të jashtzakonshme dhe me njerëzit që e ndjejnë LDK-në si shtëpinë e tyre, njofton Dukagjini.
”Në Vushtrri. Në një ditë të veçantë, në 36-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vushtrria na priti me atmosferë të jashtëzakonshme, me energji pozitive dhe me njerëz që e ndiejnë LDK-në si shtëpinë e tyre politike. 36 vjet më parë, LDK lindi si shpresë për liri, demokraci dhe shtet. Sot, në Vushtrri, ajo shpresë ishte e gjallë, e fortë dhe e vendosur për të ardhmen. U ndje qartë besimi se ky vend ka nevojë për normalitet, zhvillim dhe udhëheqje të përgjegjshme” ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku, mes tjerash, ka thënë se LDK-ja është shpresa e parë dhe e fundit për Kosovën.
“Vushtrria flet me njerëz punëtorë, me familje që duan siguri dhe perspektivë për fëmijët e tyre, me të rinj që duan arsye për të qëndruar këtu. Pikërisht për ta është programi ynë, zotimet tona dhe vizioni ynë për Kosovën. Ky përvjetor nuk është vetëm kujtim i së kaluarës. Është zotim për të ardhmen. LDK mbetet shpresa e parë dhe e fundit për Kosovën. Faleminderit Vushtrri, për besimin, për energjinë dhe për atmosferën e mrekullueshme. Vushtrria në listën e LDK-së përfaqësohet nga dy kandidatë me përvojë të dëshmuar institucionale. Me numër 36 Rrezarta Krasniqi dhe me numër 76 Isak Uka”, ka shkruar Abdixhiku.