Albin Kurti kryetar i Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër, ka votuar sot në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai pas votimit i ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Kurti i falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë dhe shprehu bindjen se pjesëmarrja në votim do të jetë masive.
Kurti theksoi se pjesëmarrja e lartë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve që dalin prej tyre. Ai foli edhe për çështjen e koalicioneve, duke deklaruar se zgjedhjet e parakohshme janë pasojë e refuzimit të koalicioneve të ofruara më herët.
“Kam ofruar koalicion në prill dhe maj të këtij viti. Sot jemi në zgjedhje të parakohshme pikërisht sepse këto koalicione u refuzuan. Koalicioni dështoi pa fajin tonë”, tha Kurti.
Ai shtoi se votimi i sotëm ka rëndësi të veçantë për konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës dhe shprehu shpresën që institucionet të formohen sa më shpejt.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë dhe besoj se legjislatura e 10-të do të konstituohet shpejt dhe qeveria do të formohet sa më parë”, u shpreh Kurti.