Me përfundimin e procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar përmes një video-mesazhi, në të cilin u është drejtuar drejtpërdrejt komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë.
Kurti theksoi se vullneti i qytetarëve tashmë është i vendosur në kutitë e votimit, duke nënvizuar se ruajtja dhe mbrojtja e këtij vullneti është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e gjithë procesit zgjedhor.
“Mirëmbrëma të gjithëve,
Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor. Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij.
E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme saqë vendimtare”, ka thënë Kurti.