Franca shënon më shumë vdekje sesa lindje për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore

Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Franca ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje, duke sugjeruar se avantazhi i kahershëm demografik i vendit ndaj shteteve të tjera të Bashkimit Evropian po zbehet.

Në Francë gjatë vitit 2025 u regjistruan 651 mijë vdekje dhe 645 mijë lindje, sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Instituti Kombëtar i Statistikave (Insee), shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.

Franca ka qenë prej kohësh një përjashtim në Europë, me norma lindshmërie më të larta se shumë nga vendet fqinje. Në vitin 2023 – viti më i fundit për të cilin ka të dhëna të krahasueshme – norma e fertilitetit në Francë ishte 1.65 fëmijë për grua, e dyta më e larta në BE, pas Bullgarisë me 1.81.

Megjithatë, të dhënat e publikuara këtë javë sugjerojnë se vendi nuk është imun ndaj krizës demografike që po përfshin kontinentin, teksa popullsitë plaken dhe normat e lindjeve bien ndjeshëm.

Të martën, Insee njoftoi se norma e fertilitetit në Francë kishte rënë në 1.56 në vitin 2025 – niveli më i ulët që nga fundi i Luftës së Parë Botërore.

Kjo përfaqëson gjithashtu një rënie prej 24% krahasuar me normën 2.01 të regjistruar 15 vite më parë, tha Sylvie Le Minez nga instituti.

“Që nga viti 2010, lindjet në Francë kanë rënë vit pas viti”, tha ajo.

Një konsultim publik i zhvilluar nga Asambleja Kombëtare në fund të vitit të kaluar hodhi dritë mbi arsyet e këtij trendi. Nga më shumë se 30 mijë të anketuar, 28% përmendën kostot financiare të rritjes dhe kujdesit për fëmijët si pengesën kryesore për të pasur fëmijë, 18% shprehën shqetësime për të ardhmen e shoqërisë, ndërsa 15% theksuan vështirësitë në balancimin e jetës familjare me punën dhe jetën personale.

Të dhënat sugjerojnë se Franca është në prag të përfshirjes në grupin e shumë vendeve të BE-së që përballen me perspektivën e një force punëtore në tkurrje, ndërsa plakja e popullsisë rrit kostot e pensioneve dhe të kujdesit për të moshuarit.

Jetëgjatësia në Francë arriti nivele rekord vitin e kaluar: 85.9 vjet për gratë dhe 80.3 për burrat.

Ndërkohë, përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç u rrit në 22%, afërsisht e njëjtë me përqindjen e atyre nën moshën 20 vjeç.

Megjithatë, popullsia e Francës u rrit lehtë vitin e kaluar, duke arritur në 69.1 milionë banorë, falë migracionit që vlerësohet rreth 176 mijë persona.

Pa emigracion, popullsia e Francës mund të bjerë deri në 59 milionë banorë deri në vitin 2100, sipas parashikimeve të fundit të Eurostat, agjencisë zyrtare të statistikave të Bashkimit Europian.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika