Pas krizës dhe reduktimeve të rrymës, kthehet në prodhim Blloku B1

Pas një krize dhe reduktimeve në furnizimin me energji elektrike, këtë pasdite është kthyer në prodhim njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”, e cila pritet të stabilizojë gjendjen. Megjithatë, problemet në nominime dhe devijimet i shkaktuan Kosovës probleme në raport me rrjetin evropian. Po ashtu prodhimi jo i bollshëm vendor, nga e shtuna i kushtoi Kosovës me import afër 5 milionë euro

Pas një situate të rënduar nga reduktimet në furnizimin me energji elektrike në fillim të kësaj jave, TV Dukagjini merr vesh se pasditen e së mërkurës është kthyer në prodhim njësia B1 në termocentralin “Kosova B”.

Me kthimin në sistem të këtij blloku që ka kapacitet prej rreth 260 megavatë/orë, pritet stabilizimi i gjendjes në furnizimin me energji elektrike.

Pasditen e vonë, KOSTT-i konfirmoi përmirësimin e gjendjes.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyçe që ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit si dhe integritetin e sistemit. Kërkohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në treg të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit elektroenergjetik”.

Sidoqoftë, gjithë ditën e mërkurë zhurma e gjeneratorëve ushtoi në shumë pjesë të vendit.

Derisa qytetarët kryesisht u ankuan për vështirësi në ngrohje, bizneset patën probleme ne funksionimin normal në veprimtaritë e tyre përkatëse.

Kompania për Furnizim KESCO, e cila të martën njoftoi se ditëve të fundit ka importuar më shumë se gjysmën e sasisë së konsumit vendor, në një përgjigje për TV Dukagjini tregoi koston blerjeve nga jashtë nga e shtuna.

“Marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet sistemi elektroenergjetik ne Kosovë, në periudhën 10-14 Janar, kemi importuar afro 5 milionë euro energji elektrike”, ka deklaruar  Margarita Rashiti, Zëdhënëse e KESCO-s.

Mbrëmjen e së martës KOSTT-i njoftoi për aplikimin e reduktimeve të lidhura me problemet me nominimin e energjisë, rrjedhimisht shkaktimin e devijimeve në sistemin evropian, me pasoja serioze në raport me marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.

Teksa lidhur me këtë, njoftoi se u ka kërkuar të gjithë operatorëve të licencuar të ndërmarrin masa në raport me obligimet ligjore, Zyra e Rregullatorit për Energji i tha TV Dukagjinit se reduktimet kishin për qëllim “menaxhimin e situatës dhe shmangien e pasojave serioze ndaj sistemit dhe obligimeve ndërkombëtare të Kosovës në kuadër të ENTSO-E”.

“ZRRE e konsideron situatën me interes të lartë dhe me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë energjetike të vendit. ZRRE është duke vlerësuar sjelljen e palëve të licencuara dhe, në përputhje me rrethanat faktike, do të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara me legjislacionin në fuqi”.

Me Marrëveshjen e Kyçjes të KOSTT-it me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Transmetimit të Energjisë – ENTSO-E, vite më parë, Kosova definoi pavarësinë e saj energjetike.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika