
Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olga Stefanishyna ka bërë me dije se negociatorët ukrainas do të takohen me palën amerikane të shtunën në Miami. Në këtë takim të radhës ata do të vijojnë bisedimet që synojnë t’i japin fund konfliktit mes Rusinë.
“Negociatat do të zhvillohen nesër në Miami të Floridës, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare Rustem Umerov, Shefit të Shtabit të Presidentit ukrainas Kyrylo Budanov dhe Kryetarit të grupit parlamentar (presidencial) të partisë në pushtet “Shërbëtori i Popullit”, David Arakhamia”, shkroi Stefanishyna.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka shpresa që Ukraina do të arrijë marrëveshje me Uashingtonin javën e ardhshme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Të dërguarit amerikanë kanë negociuar veçmas me Kievin dhe Moskën për muaj të tërë mbi një marrëveshje që synon t’i japë fund katër viteve të luftimeve, por shumë çështje nuk janë zgjidhur, siç janë territoret e pushtuara dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Bisedimet e reja do të mbahen pasi një seri bombardimesh të rënda ruse të infrastrukturës ukrainase kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë dhe ngrohjes në mes të dimrit.


