Sonte stadiumi legjendar “San Siro” do të jetë skena e një prej ndeshjeve më të mëdha të javës në Ligën e Kampionëve.
Interi do të përballet me Arsenalin, në kuadër të xhiros së parafundit të fazës së ligës, me fillim nga ora 21:00.
Arsenali i drejtuar nga Mikel Arteta vjen në këtë sfidë me bilanc perfekt, duke qenë skuadra e vetme në garë me gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje.
Një tjetër fitore sonte do ta afronte ndjeshëm ekipin londinez me pozitën e parë në renditje, e cila sjell avantazh të madh në fazën nokaut.
Në anën tjetër, Interi renditet aktualisht në vendin e gjashtë dhe ka nevojë urgjente për pikë, pasi ndjekja e Atletico Madridit është gjithnjë e më e fortë.
Një rezultat negativ mund të komplikojë ndjeshëm garën për kualifikim direkt në fazën e 1/8 së finales.
Lufta për një vend në tetëshen e parë dhe për biletën direkte drejt fazës eliminatore mbetet e hapur dhe çdo pikë është jetike.
Përballja në “San Siro” pritet të jetë vendimtare jo vetëm për renditjen, por edhe për ecurinë e dy gjigantëve evropianë në vazhdim të sezonit.