Duke arritur për takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se agjenda e ditës ishte e ngarkuar, ndërsa “rendi ndërkombëtar bazuar në rregulla mbetet nën presion”.
Në fokus të diskutimeve do të jenë marrëdhëniet në zhvillim BE-SHBA, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme.
Për Ukrainën, Kallas theksoi se delegacioni rus në bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe përfaqëson vetëm pjesëtarë të ushtrisë, pa mandat për të rënë dakord mbi asgjë, duke vënë në dyshim përkushtimin e Rusisë ndaj procesit të paqes.
“Rusia po bombardon ukrainasit, duke u përpjekur t’i bombardojë dhe ngrijë për t’i detyruar të dorëzohen. Për këtë po diskutojmë edhe për mbështetjen energjetike që mund t’u japim, sepse dimri është shumë i vështirë dhe ukrainasit po vuajnë. Një katastrofë humanitare është në prag,” tha ajo, raporton The Guardian.
Kallas shtoi se ka shqetësim nga koncesionet e bëra nga ana e Ukrainës, të cilat “po e zbehin situatën, sepse nuk është Ukraina që ka nisur agresionin, por Rusia. Duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë që të shohim koncesione nga ajo pjesë.”
Ajo gjithashtu hodhi poshtë idenë e krijimit të një “ushtrie evropiane”, duke theksuar se përgjegjësia mbetet te autoritetet dhe hierarkitë kombëtare.
“Në ushtri duhet të ketë zinxhir komandimi të qartë, që të jetë e qartë kush jep urdhër kujt. Nëse krijojmë struktura paralele, situata vetëm do të ndërlikohet,” tha ajo.
Sa i përket Lindjes së Mesme, diskutimi kryesor ishte për situatën në Iran dhe mundësia e vendosjes së Gardës Revolucionare iraniane në listën e organizatave terroriste të BE-së, “në të njëjtin nivel me Al Qaeda, Hamas dhe Daesh.”
“Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist,” ka theksuar Kallas.