Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka publikuar aplikimet fillestare të kompanive KESCO, KEDS dhe KOSTT për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026.
Në aplikimin e KESCO-s, si Furnizues i Shërbimit Universal, faktori korrigjues është mbi 49 milionë euro, ndërsa në atë të KEDS-it është mbi 41 milionë euro.
Sipas këtyre shifrave, shuma totale që kompanitë kërkojnë të mbulohet tejkalon 90 milionë euro, që do të përkthehej në një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike afër 21%.
Megjithatë, në kuadër të procesit të shqyrtimit tatimor, ZRRE ka mundësinë që të refuzojë këtë propozim ose të bëjë përshtatje për tarifat përfundimtare.
Nëse ZRRE-ja aprovon kërkesën e KESCO-s këtë vit, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Në vitin 2023, tarifa u rrit për 15 për qind. Në vitin 2024, tarifat u ulën: për familjarët që shpenzonin mbi 800 kilovatë ulja ishte 8 për qind, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe industrialë ulja ishte 3 për qind.
Në vitin 2025, çmimi u rrit përsëri për 16.1 për qind.
Aktualisht, për ata që përdorin më pak se 800 kilovatë në muaj, tarifa gjatë ditës është 9.05 centë për kilovat dhe tarifa gjatë natës është 3.88 centë për kilovat. Për konsumin mbi 800 kilovatë, çmimi gjatë ditës është 15.43 centë për kilovat dhe gjatë natës 7.28 centë për kilovat.