Komisioni Evropian ka njoftuar ndarjen e 153 milionë eurove si ndihmë emergjente për Ukrainën dhe Moldavinë, në një kohë kur miliona ukrainas përballen me temperatura ekstreme të ftohta pa energji elektrike, si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike.
Në kuadër të kësaj pakete, Bashkimi Evropian ka alokuar fillimisht 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën, me qëllim ofrimin e mbrojtjes, strehimit, ushqimit, ndihmës financiare, mbështetjes psikosociale, si dhe qasjes në ujë të pijshëm dhe shërbime shëndetësore. Ndërkohë, 8 milionë euro janë ndarë për Moldavinë për të mbështetur pritjen e refugjatëve ukrainas që janë larguar nga lufta, njofton Dukagjini.
Komisioni Evropian thekson se, pas më shumë se një dekade armiqësish dhe gati katër vitesh lufte të plotë, populli i Ukrainës vazhdon të përjetojë vuajtje të mëdha.
“Viktimat civile të përditshme, shkatërrimi i gjerë i infrastrukturës dhe zhvendosja masive e popullsisë po rrisin edhe më tej nevojat humanitare. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike, miliona qytetarë në Ukrainë janë të ekspozuar ndaj temperaturave nën zero”, thuhet në njoftim.
Krahas ndihmës humanitare, BE-ja ka forcuar edhe asistencën emergjente në sektorin e energjisë. Këtë javë janë dorëzuar 447 gjeneratorë elektrikë, me vlerë 3.7 milionë euro, për rikthimin e energjisë në spitale, strehimore dhe shërbime të tjera jetike.
Njëkohësisht, edhe 500 gjeneratorë të tjerë po dërgohen nga rezervat strategjike rescEU, për të siguruar funksionimin e shërbimeve esenciale.
Bashkimi Evropian ka ofruar ndihmë humanitare në Ukrainë që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 2014, duke u fokusuar veçanërisht në zonat e vështira për t’u arritur pranë vijave të frontit në lindje dhe jug të vendit.
Pas pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, BE-ja ka rritur ndjeshëm përpjekjet e saj humanitare. Që nga ajo kohë, Komisioni Evropian ka ndarë mbi 1.4 miliardë euro për programe humanitare në Ukrainë dhe Moldavi.
Ndihma humanitare e financuar nga BE-ja realizohet në bashkëpunim me agjenci të OKB-së, organizata ndërkombëtare dhe OJQ. Fushata dimërore 2025–2026 ka shënuar sasinë më të madhe të ndihmës energjetike të ofruar ndonjëherë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM).
Që nga viti 2022, përmes këtij mekanizmi janë dërguar në Ukrainë mijëra pajisje energjetike, përfshirë mbi 10 mijë gjeneratorë, mijëra transformatorë dhe miliona njësi ndriçimi efikas, duke siguruar energji elektrike për më shumë se 9 milionë njerëz.
Përveç ndihmës humanitare, BE-ja ka ofruar mbi 3 miliardë euro për sigurinë energjetike të Ukrainës. Në total, mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit arrin në 193.3 miliardë euro.