Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se ka rifilluar lëvizja e kamionëve nga Kosova në drejtim të Malit të Zi, pas heqjes së bllokadës në pikën kufitare mes dy vendeve.
Sipas njoftimit zyrtar të QKMK-së, heqja e bllokadës ka mundësuar rikthimin e qarkullimit normal të kamionëve që operojnë drejt territorit të Malit të Zi.
“Ju njoftojmë se kanë filluar lëvizjet e kamionëve në drejtim të Malit të Zi, pasi që është hequr bllokada në Malin e Zi”.
Bllokada e kamionëve, e cila kishte përfshirë transportues nga disa shtete të rajonit, ishte vendosur si reagim ndaj sistemit të ri të Bashkimit Evropian për kontrollin e hyrje-daljeve.
Transportuesit e kanë kundërshtuar këtë sistem, duke e cilësuar si shkaktar të vonesave të gjata në kufi dhe humbjeve të konsiderueshme ekonomike, si dhe kanë kërkuar përjashtimin e kompanive të transportit nga zbatimi i tij.
QKMK kishte paralajmëruar më herët se si pasojë e protestave, do të kishte ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Protesta të ngjashme ishin organizuar edhe nga transportuesit e kamionëve nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.