Tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nis hetimet për vota edhe në Komunën e Obiliqit , pasi janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave aty.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit. Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”.