Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), në Republikën e Maqedonisë së Veriut është konfirmuar prania e sëmundjes ‘lija e dhenve dhe dhive’ në zonën MKD – Lipkovo.
Sipas njoftimit të AUV-it, në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, njofton Dukagjini.
“Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual”, thuhet në njoftimin e AUV-it.