Organizata e Kombeve të Bashkuara përballet me rrezik të menjëhershëm të kolapsit financiar për shkak të mos pagesës së kontributeve nga shtetet anëtare, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm António Guterres.
Në një letër drejtuar 193 shteteve anëtare, Guterres tha se kriza financiare po thellohet dhe po rrezikon zbatimin e programeve të OKB-së, duke theksuar se fondet mund të shterojnë deri në muajin korrik, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare që të përmbushin obligimet e tyre financiare ose të reformojnë rregullat financiare për të shmangur kolapsin.
Sipas Guterres, viti 2025 përfundoi me një nivel rekord të kontributeve të papaguara, që përbëjnë rreth 77 për qind të totalit të detyrimeve. Situata është përkeqësuar edhe nga rregullat që e detyrojnë OKB-në të kthejë fonde që nuk i ka marrë, duke krijuar një “goditje të dyfishtë” për buxhetin e organizatës.
Kriza është ndikuar ndjeshëm edhe nga vendimi i Shteteve të Bashkuara, kontribuuesi më i madh i OKB-së, për të mos paguar kontributin për buxhetin e rregullt në vitin 2025 dhe për të ofruar vetëm 30 për qind të financimit të pritshëm për misionet paqeruajtëse.
SHBA-ja po ashtu është tërhequr nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë disa agjenci të OKB-së.
Për shkak të mungesës së fondeve, disa agjenci të OKB-së kanë filluar të reduktojnë aktivitetet, duke ndikuar drejtpërdrejt në ndihmën humanitare, dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mbështetjen për grupet më të cenueshme në vende të ndryshme të botës.