Policia e Kosovë ka bërë të ditur se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia Ferizaj, në koordinim dhe bashkëpunim me AKI-në dhe të ndihmuar nga njësi policore të trafikut-autostradës, dje rreth orës 20:30, në autostradë segmenti Doganaj-Kaçanik, kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se me atë veturë po kryhej trafikim me lëndë narkotike.
Në veturë janë hasur dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut, njofton Dukagjini,
Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësi të provave materiale: 20 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 6.4 kg, 6 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit heroinë, me peshë 3.2 kg, dy telefona mobil dhe një veturë.
Sipas Policisë, vlerësohet se çmimi i tregut të kësaj sasie të lëndëve narkotike sillet rreth 80 mijë euro.
“Të gjitha veprimet lidhur me rastin, janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Ferizaj, me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas interevistimit dy të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.