Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para mbajtjes së Kuvendit të partisë, ka deklaruar se vendimet që do të merren sot do të jenë të lira dhe plotësisht demokratike.
Duke i përshëndetur mediat, Abdixhiku u uroi mirëseardhje gazetarëve me fjalët “Mirë se vini në demokraci”, njofton Dukagjini.
Abdixhiku, mes tjerash, theksoi se kjo ditë duhet të shënohet me maturi dhe përgjegjësi, duke shprehur shpresën që procesi të shërbejë si shembull pozitiv jo vetëm për LDK-në, por edhe për partitë e tjera politike në vend.
“Dua ta shënojmë këtë ditë me maturi. Le të jetë një standard i mirë dhe i mbarë, jo vetëm për LDK-në, por për të gjitha partitë. I siguroj anëtarët e LDK-së se nga ky Kuvend do të dalim më të unifikuar për të ardhmen që na pret. Me demokraci e përcaktojmë fatin tonë politik”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se Kuvendi i LDK-së është organi më i lartë vendimmarrës i partisë dhe ka të drejtë të plotë për të vendosur për çdo çështje në rend dite.
“Është Kuvendi i LDK-së, Kuvendi ka çdo të drejtë për çdo gjë”, tha Abdixhiku.