Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij hapës në Kuvendin e partisë, bëri të ditur se këtë Kuvend e ka thirrur dhe organizuar vetë, pa pritur presione apo zhurma të jashtme.
Abdixhiku theksoi se nata e zgjedhjeve nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përpjekjeve, punës dhe sakrificës së shumë njerëzve që gjatë pesë viteve të fundit panë sfidat dhe pengesat që kaloi partia, njofton Dukagjini.
“Jemi mbledhur sot sepse kjo është përgjegjësia jonë dhe kërkohet nga LDK-ja. Ky Kuvend nuk më është imponuar, e kam thirrur vetë, pa pritur ultimatumet apo zhurmat që shpesh shfaqen,” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi me rezultatet, me pritshmëritë, me anëtarësinë, me vetveten dhe mbi të gjitha me të ardhmen e partisë.
“Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë. Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku, mes tjerash, para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë tha se këtij subjekti politik i ka munguar solidariteti i brendshëm.
“LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm dhe pa këtë solidaritet do të ngrihemi për të rënë, siç na ndodhi në vitin 2025. I shtojmë 70 mijë vota, i humbin 45 mijë sosh dhe pastaj duhet të mbajmë përgjegjësi për numrin e votave që i kemi shtuar vet. Si është e mundur që LDK të fitoj në zgjedhje lokale bindshëm dhe pesë javë më pas të reduktohet aq shumë në zgjedhje nacionale. A është faji te prijësi, ekipi, mesazhi apo te vet angazhimi i secilit? Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është shumë e lehtë, ndërrohet dhe vjen tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin të mbaj të njëjtën disiplinë, mobilizim, intensitet në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem organizativ”, u shpreh Abdixhiku.
Abdxihiku ka thënë se demokracia kërkon shumicën dhe kontributin teksa përmendi edhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar gjatë fushatës zgjedhore, duke nënvizuar që ndër vite ka pasur përçarje të brendshme politike, si penguese e dukshme e zhvillimit të këtij subjekti.
“Për mua dhe për ju ajo natë nuk ishte vetëm një rezultat politik, ishte një pasqyrë ku pashë mundin, sakrificën e shumë njerëzve të mirë të pesë vjetëve të fundit teksa shembeshin para syve tonë dhe njëkohësisht pashë se sa vështirë është të mbash mbi supe pritjet e një partie që ka histori, plagë e mbi të gjitha që ka shpresë”, tha Abdixhiku, duke shtuar se përgjegjësia nuk ndahet me askënd.