Funksionalizimi i Komisionit për Personat e Pagjetur, Hoti: Kam frikën që Serbia prapë do të refuzojë zbatimin

Pas shtatë orësh diskutimi, Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 22 janar që të funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë, por që Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka frikën që Serbia prapë do të refuzojë zbatimin e këtij komisioni apo zbatimin e kërkesave të palës kosovare e që janë arkivat.

Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se në këtë takim, Serbia ka tentuar që t’ia humb fuqinë komisionit të përbashkët dhe me lënë brenda grupit punës apo mekanizmave të tjerë.

Ai thotë se kërkesat e Kosovës janë bërë të ditura prej kohësh dhe janë publike, veçanërisht ato që lidhen me qasjen në arkivat ushtarake serbe.

“Kërkesat veç i kemi parashtru qysh prej 15 janarit të vitit të kaluar, në qershor, në shtator i kemi ripërsëritur. Plus janë ato kërkesat e tjera publike që e dini që i kemi drejtuar letër Vuçiqit për arkivat e brigadës 37-të. Kështu që kërkesat tona janë të qarta, janë publike, nuk kam pasë pse me i fshehë, domethënë i kam shkru edhe në status në facebook edhe përmes mediave i kam tregu disa herë. Kërkesat janë shumë të qarta, veç pritet që brenda takimit të radhës, Serbia me tregu a është e gatshme me i zbatu kërkesat tona, që i bie a është e gatshme me na leju qasjen në arkivat e klasifikuara të ushtrisë, sidomos, përveç të tjerash, serbe të kohës së luftës“, tha ai.

Duke folur për qëndrimin e Serbisë, Hoti thotë se ajo ka tentuar vazhdimisht t’ia zbehë fuqinë politike Komisionit të Përbashkët.

“Çka e shtyu nuk e di, por besoj që nuk pat ku me shku më. Ajo çka deshti me bë Serbia është që deshti prapë me ia hup fuqinë komisionit të përbashkët, fuqinë politike po flas, sepse ne kemi edhe mekanizma të tjerë. Ne kemi grupin punues që është nën ndërmjetësim të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. E kemi edhe grupin rajonal që është nën ndërmjetësim të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Në këtë rast, mos të përsëritem edhe njëherë, por qëllimi im ishte involvimi i Bashkimit Evropian në këtë çështje në mënyrë që me pasë një lloj presioni apo kushtëzimi më të madh ndaj Serbisë në raport me fatin e personave të zhdukur. Tash Serbia këtë nuk po e pranonte. Në çdo format, ato 7 orë sa kemi qenë aty, Serbia tentoi që me ia hup fuqinë këtij komisioni të përbashkët dhe me e lënë brenda grupit punues apo mekanizmave të tjerë që i kemi. Natyrisht, qëndrimi im ishte që s’mundet me ndodhë një gjë e tillë sepse jemi pajtuar në vitin 2024 në dhjetor, dhe që qëllimi kryesor pse kemi ardhë në Bruksel që sa vite ka qenë ky. Dhe më në fund u pajtuan. Unë nuk kam qenë në atë takim, në fakt, takimet kanë qenë kryesisht përmes Bashkimit Evropian, përmes zotit Sorensen, dhe në takimin e zotit Sorensen me Serbinë tash çka kanë bisedu ata unë nuk e di. Më në fund kështu u dorëzuan prej asaj kërkese absurde ndoshta edhe e kanë pa që është absurde sepse nuk ka nevojë me themelu një mekanizëm tjetër kur veç e ke një të tillë dhe u pajtuan“, deklaroi ai.

Porse a do ta zbatojë Serbia këtë vendim, Hoti thotë se pritet që të shihet edhe forca e Bashkimit Evropian kur të ballafaqohet me rezistencën serbe.

“Po tash, sepse kur flas po dua me u kuptu edhe familjarët gjithmonë, ata u pajtuan, komisioni i përbashkët u themelua, ne do të vazhdojmë takimet, kërkesat tona do t’i ripërsërisim që janë publike. Mirëpo tash çka ndodh tutje, sa është e gatshme Bashkimi Evropian kur e sheh që nuk po zbatohen sepse unë kam frikën që Serbia prapë do të refuzojë zbatimin e këtij komisioni apo zbatimin e kërkesave tona që janë arkivat – çka ndërmerr Bashkimi Evropian, kjo është me rëndësi. Mendoj nëse vërtet e përdor fuqinë e saj, që do të duhej, Bashkimi Evropian, atëherë kjo mbetet të shihet në të ardhmen“, shtoi ai.

Hoti ka treguar se si shkoi takimi brenda katër mureve në Bruksel.

“Në bazë të këtyre termave të referencës, edhe pse kanë kaluar këto afate, tashmë një vit e diçka, por në bazë të këtyre termave të referencës ne menjëherë pas themelimit që ndodhi të enjten e cila pati edhe shumë sfida edhe të enjten, sepse Serbia refuzoi edhe atë ditë, kemi ndenjur diku nja 7 orë në takim për këtë themelim të këtij komisioni, tashmë brenda një muaji Bashkimi Evropian ka obligim në bazë të termave të referencës me thirrë edhe njëherë takimin e radhës dhe me i parashtru kërkesat e të dyja palëve“, potencoi ai.

Hoti e thekson se qëllimi i tij që nga 2021-ta, kur edhe nisi të shkojë në Bruksel nkishte involvimin e BE-së në cështjen e personave të zhdukur, për shkak mosvullnetit të Serbisë për me bashkëpunu.

“Qëllimi im ka qenë ky prej fillimit, domethënë prej 2021-tës kur kam nisë me shku në Bruksel, qëllimi im ka qenë që me involvu direkt Bashkimin Evropian në çështjen e personave të zhdukur, për shkak se Serbia nuk po ka vullnet me bashkëpunu në këtë fushë, domethënë, ju e dini për çështjen e arkivave dhe çështje të tjera. Këtë punë e arritëm. Tash natyrisht që nevojitet ende punë, sepse nevojitet që Bashkimi Evropian me marrë atë rol që i takon si kryesues. Në kuadër të termave të referencës, njëra prej pikave thotë që cilado palë që nuk arrin me bashkëpunu ose nuk dakordohet për aktivitetet që i ka, zotimet që i merr, atëherë ky kryesues e njofton 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mosdakordimin ose mosbashkëpunimin në këtë rast të Serbisë. Prandaj mendoj që kjo është e rëndësishmja këtu. A do të zgjidhet fati, sepse unë flas me familjarët në këtë rast – a do të zgjidhet fati i personave të zhdukur, nuk do të zgjidhet me këtë pikë. Po sot kemi një mekanizëm dhe një dokument të Bashkimit Evropian, të cilët do të duhej t’i jepnin një trysni edhe më të madhe Serbisë për të marrë informacionet kredibile që ne vazhdojmë me i kërku“, nënvizoi ai.

Marrëvshja e 22 janarit është arritur në takimin trepalësh në Bruksel, të udhëhqeur nga Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen.

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika