Komuna e Prishtinës ka informuar qytetarët për dy aktivitete që do të zhvillohen në fillim të muajit shkurt nga kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, më 3 shkurt në zonën e Badovcit, Qendra Studimore Universitare e FSK-së do të mbajë një trajnim në terren për navigim tokësor, të quajtur “Rruga e Heronjve”.
Ndërkohë, më 6 dhe 7 shkurt 2026, në zonën e Koliqit, Qendra Studimore Universitare e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së do të organizojë një vlerësim praktik që ka të bëjë me operacione mbrojtëse në terren.
Nga Komuna theksohet se ushtrime të këtij lloji janë realizuar edhe më herët nga kadetët e FSK-së dhe se ato kanë karakter profesional dhe edukativ, pa paraqitur rrezik për sigurinë e qytetarëve.
Në fund, Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve, duke bërë të ditur se çdo informacion shtesë do të komunikohet me kohë.