Kylian Mbappe e ka shpëtuar nga humbja Real Madridin, duke shënuar golin e fitores në minutën e 100-të nga penalltia, në triumfin 2:1 ndaj Rayo Vallecanos në “Santiago Bernabeu”.
Kjo ndeshje i takoi xhiros së 22-të të La Ligës, ndërsa klubi mbretëror u rikthye te fitorja pas disfatës dramatike të pësuar të mërkurën ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve.
Real Madridi kaloi i pari në epërsi në minutën e 15-të, kur Vinicius Junior realizoi një gol fantastik për 1:0. Megjithatë, mysafirët reaguan në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin me golin e Jorge de Frutos në minutën e 49-të.
Ndeshja u komplikua për Rayo Vallecanon në fund, pasi mbetën me dy futbollistë më pak. Pathe Ciss u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 80-të për ndërhyrje të ashpër, ndërsa Pep Chavarria u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë.
Në sekondat e fundit të takimit, arbitri akordoi penallti për Realin, të cilën Mbappe e shndërroi me qetësi në gol, duke siguruar tri pikë jetike për skuadrën e Alvaro Arbeloas.
Me këtë fitore, Real Madridi vazhdon garën për titullin kampion, duke mbetur në vendin e dytë me 54 pikë, vetëm një më pak se Barcelona. Ndërkohë, Rayo Vallecano mbetet në pjesën e poshtme të tabelës me 22 pikë.