Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se ka pranuar gjithsej shtatë ankesa lidhur me publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Sipas njoftimit të PZAP, nga shtatë ankesat e pranuara, pesë janë dorëzuar nga subjekte politike, ndërsa dy të tjera nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.
Në mesin e ankesave të paraqitura, një është dorëzuar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), dy ankesa nga kandidati i PDK-së, Bekim Haxhiu, një ankesë nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, dy ankesa nga Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe një ankesë nga Lista Serbe.
PZAP ka njoftuar se për të gjitha këto ankesa do të vendosë brenda afatit ligjor prej 96 orësh nga momenti i paraqitjes së secilës ankesë, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të shtunën ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por vetëm për 23 nga 24 subjektet politike pjesëmarrëse.
Shpallja e rezultateve përfundimtare për Listën Serbe dhe kandidatët e saj nuk është miratuar, pasi nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme nga anëtarët e KQZ-së.