Dëmtimi i urës, krahas gërryerjes së dheut duke ngushtuar dhe mbyllur një pjesë të rrugës, janë prej pasojave të rritjes së nivelit të ujit në lumin Lushta në Mitrovicë, pas reshjeve të shiut javë më parë.
Edhe pse niveli i ujit është kthyer në normalitet, për shkak të çarjeve rreziku i shembjes së dheut në afërsi të objekteve mbetet evident.
Ndërkaq, ndonëse e kalueshme, ura mbetet e dëmtuar në dy qoshet që lidhen me brigjet.
Banorë te lagjes theksojnë se masat parandaluese, sa më shpejtë, para se të ketë reshje të reja, janë të domosdoshme, ndërkohë që presin projektin për rregullimin e urës dhe shtratit të lumit.
“Është urgjent me intervenu, se këta sigurisht e kanë projektin për lumejtë, por është urgjente për me parandalu mos me ndodhë diçka ma shumë ose mos me ardhë deri te marketi. Ti po e sheh që prapa jush deri te shtylla ka shku edhe dy metra është me hy në oborr. Është imediate, urgjente, intervenimi i komunës së paku me e mbushë me gur të mëdhenj këtë pjesën për me e parandalu mos me u shemb ma shumë”, ka thënë – Niman Istrefi, Banor i Vaganicës, Mitrovicë.
Derisa ekipe të komunës veçse e kanë vizituar vendin, banorët thanë se me këtë problem janë përballur edhe në vërshimet e para disa vitesh, por se nuk u ishte bërë zgjidhje.
“Sigurisht 10 herë kam qenë në komunë kam bisedu me pushtetin e kalum, jo me këta, kam bisedu me ata edhe më kanë thanë jo sot, po nesër, kurrë nuk kanë intervenu. Për këta që janë sot, veç sa e kanë marrë pushtetin, është fillimi i mandatit të tyre, janë që një muaj e pak, po presim intervenimin e tyre”, ka thënë – Niman Istrefi, Banor i Vaganicës, Mitrovicë.
Në Komunën e Mitrovicës së Jugut u zotuan për veprim të menjëhershëm.
“Për rastin dhe rrugën në fjalë, për shkak të vërshimeve që kanë ndodhur, jemi duke diskutuar edhe me drejtorin e Emergjencave, dhe besojmë që së shpejti do të marrim masa, ku nesër do të dalim në terren”, ka thënë Naser Muja, Drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Mitrovicë.
Përveç dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, problem mbetet niveli i lartë i mbeturinave në lum.