
Performanca e Bad Bunny në shfaqjen e pushimit të Super Bowl-it ishte një homazh i fuqishëm për vendlindjen e tij, Porto Rikon, duke u shndërruar në një “letër dashurie” për kulturën dhe identitetin portorikan.
Në setin 14-minutësh, artisti 31-vjeçar solli një mozaik simbolesh kulturore, nga fusha e kallamit të sheqerit te “casita” e famshme që përfaqëson një shtëpi tradicionale portorikane.
Në skenë u bashkuan emra të njohur si Lady Gaga dhe Ricky Martin, ndërsa Pedro Pascal, Cardi B, Karol G dhe Jessica Alba u shfaqën duke kërcyer si pjesë e performancës.
Bad Bunny, me emrin e vërtetë Benito Antonio Martínez Ocasio, bëri histori duke u bërë artisti i parë që realizon një shfaqje të Super Bowl-it tërësisht në gjuhën spanjolle. E vetmja fjali në anglisht ishte “God bless America”, e ndjekur nga përmendja e shteteve të Amerikës Qendrore, Jugore dhe Veriore, ndërsa valltarët mbanin flamujt përkatës.
Në skenë u shfaqën mesazhe si “The only thing more powerful than hate is love” dhe “Together, We Are America”, duke theksuar unitetin përballë ndarjeve.
Në fund të performancës, Bad Bunny mbajti një top futbolli amerikan me këtë mesazh simbolik.
Performanca u mbajt në Levi’s Stadium në Santa Clara të Kalifornisë dhe shënoi rikthimin e tij në SHBA pas publikimit të albumit fitues të Grammy-t, Debí Tirar Más Fotos.
Porto Riko ishte në qendër të çdo detaji, përfshirë referenca për Uraganin Maria të vitit 2017, ku artisti u ngjit në një shtyllë elektrike si simbol i infrastrukturës së shkatërruar dhe viktimave të stuhisë.
Bad Bunny mbante veshur një pulovër bezhë me numrin 64, që sipas interpretimeve simbolizon numrin zyrtar të viktimave të uraganit, një temë që lidhet edhe me kritikat ndaj administratës Trump për mungesë ndihme federale për Porto Rikon.
Edhe pse pritej një kritikë e drejtpërdrejtë politike, artisti shmangu sulmet direkte ndaj presidentit amerikan. Megjithatë, pas performancës, Donald Trump reagoi në rrjetin e tij social Truth Social, duke e quajtur shfaqjen “absolutisht të tmerrshme” dhe “fyerje për madhështinë e Amerikës”.
Bad Bunny e mbylli shfaqjen duke përmendur Porto Rikon dhe Shtetet e Bashkuara, duke përsëritur mesazhin e tij se dashuria dhe uniteti janë më të fuqishëm se urrejtja.


