Kallas: Pa lëshime reale nga Rusia, negociatat për paqe rrezikojnë të forcojnë agresionin rus

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se proceset aktuale të negociatave për paqe në Ukrainë rrezikojnë të prodhojnë efekt të kundërt, duke inkurajuar agresionin rus, nëse Moska nuk detyrohet të bëjë lëshime reale dhe të verifikueshme.

Në një intervistë, Kallas shprehu skepticizëm të thellë ndaj bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se deri më tani ato nuk kanë sjellë asnjë rezultat konkret.

Sipas saj, ngërçi në dialog reflekton mungesën e vullnetit serioz nga ana e Kremlinit, ndërkohë që presioni po ushtrohet kryesisht mbi Ukrainën për të bërë kompromise.

“Negociatorët rusë nuk kanë njerëz seriozë pas asaj tavoline. Nuk pres që të dalë asgjë nga ky raund bisedimesh”, deklaroi Kallas.

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan javën e kaluar në Abu Dhabi, takim që pala ukrainase e cilësoi si “konstruktiv”. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për rritje të mbrojtjes ajrore, pas sulmeve të fundjavës ndaj Ukrainës, gjatë të cilave u përdorën rreth 400 dronë dhe 40 raketa.

Kallas pranoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka arritur t’i ulë të dyja palët në tryezën e negociatave për herë të parë që nga nisja e pushtimit të plotë rus, por nënvizoi se ekziston një pabarazi e theksuar mes kërkesave që i adresohen Kievit dhe atyre që i bëhen Moskës.

“Ne kemi parë vetëm se çfarë janë të gatshëm të pranojnë ukrainasit për t’i dhënë fund kësaj lufte. Nuk kemi parë asnjë lëshim nga pala ruse”, tha ajo.

Sipas saj, presioni për lëshime – kryesisht territoriale – po bie pothuajse ekskluzivisht mbi Ukrainën, ndërsa vendimet për kompromise duhet t’u takojnë vetëm ukrainasve.

“Varet nga ukrainasit të vendosin se çfarë lloj lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë”, theksoi Kallas, duke paralajmëruar njëkohësisht për taktikat negociuese të Moskës.

“Ata kërkojnë maksimalen absolute, diçka që nuk ka qenë kurrë e juaja, pastaj përdorin kërcënime, ultimatume dhe forcë”, përfundoi ajo.

Shija e redaktorit

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Të fundit nga rubrika