Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me vendimin e kësaj gjykate për refuzimin e ankesave, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
Hasani ka thënë se, në momentin kur Gjykata Supreme ka vendosur për të gjitha ankesat që janë adresuar në këtë institucion, sipas tij tani janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen, duke shtuar se me certifikimin e rezultateve fillojnë edhe afatet e tjera ligjore.
Ai ka folur edhe për manipulimin me vota, të cilat aktualisht po hetohen nga Prokuroria.
“Kjo çështje e manipulimit ose abuzimit me zgjedhjet ka qenë një njollë e zezë për shtetin e Kosovës, por veçmas për sistemin zgjedhor. Ka ndodhur një rast që pak e hasim në praktikat e proceseve zgjedhore, një abuzim masiv i falsifikimit të rezultateve të votimit në procesin e numërimit”, ka thënë ai.
Më tej, ish-kryetari i Gjykatës Supreme ka theksuar se, derisa ditën e votimit nuk ishte shënuar asnjë incident, në një stad të procedurës kur më së paku pritej që të ketë manipulime, kanë ndodhur këto manipulime masive.