Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe kompanisë “L.P.” Sh.P.K., për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës, B.D., si menaxher i kontratës për “Renovimin e objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, ka miratuar pagesa për punime që nuk ishin kryer plotësisht, ndërsa L.Z., përgjegjës i kompanisë, ka paraqitur të dhëna të rreme për realizimin e punimeve.
Si pasojë, buxheti i Kosovës ka pësuar dëm financiar prej 36,000 euro.
“Sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 – 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit. Ndërkohë, L.Z., si person përgegjës i “L.P.” Sh.P.K., akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka propozuar dënime plotësuese, duke përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë dhe të profesionit.