Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).
Kontingjenti i FSK-së, i përbërë nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë mortajash, është vendosur në Grafenwöhr Training Area në Gjermani, ku po vepron me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.
Gjatë ushtrimit, kontingjenti ka bashkëpunuar ngushtë me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë Amerikane, duke realizuar qitje mbi objektiva me mortaja 120 mm, në koordinim edhe me trupat e Ushtrisë Italiane.
Ushtrimi fushor “Dynamic Front” është një aktivitet shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
Këtë vit, ushtrimi po zhvillohet paralelisht në pesë shtete Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
Gjatë pjesëmarrjes, FSK ka demonstruar aftësitë e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës.