Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka deklaruar se gjatë diskutimeve ndërmjet partive politike ka ekzistuar konsensus i plotë që pesë nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako, si pjesë e procesit të konstituimit të institucioneve.
Basha ka theksuar se ky propozim kishte ardhur nga partitë politike dhe ishte pranuar si zgjidhje për të lehtësuar procedurat parlamentare dhe për të shmangur bllokadat gjatë formimit të Kryesisë së Kuvendit.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se orari i mbajtjes së seancës parlamentare është ndryshuar pas një kërkese të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, në respekt të zhvillimeve në Hagë.
“Pas gjitha diskutimeve ka pasur një konsensus të plotë të të gjitha partive politike që ka ardhur si propozim i të gjitha partive politike. Propozimi i tyre ka qenë i qartë që të shihet në votim në pako, pesë nënkryetarët të votohen në pako. Ka pasur konsensus për votimin e kryetarit, votimin e pesë nënkryetarëve.
Pastaj të vazhdohet edhe me votimin e Qeverisë, pastaj na presin edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Data mbetet nesër, ora ka ndryshuar, kjo ka qenë me kërkesë të nënkryetares Vlora Çitaku, kjo ka qenë për shkak të fjalës përfundimtare në Hagë, në pajtueshmëri me të gjitha partitë politike seanca është vendosur që të mbahet në orën 17:00″.