Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dalë me një njoftim zyrtar drejtuar qytetarëve pas ngjarjes sizmike që goditi territorin e Kosovës.
Sipas AME-së, bazuar në të dhënat e Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mesdhetare, tërmeti u regjistrua më 10 shkurt në orën 22:05 sipas kohës lokale. Institucioni bëri të ditur se epiqendra e tërmetit ishte në zonën juglindore të Kosovës, përkatësisht rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, ndërsa lëkundjet u regjistruan me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter dhe me intensitet VI ballë sipas shkallës së Merkalit.
“Bazuar në të dhënat e Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mesdhetare, si dhe në analizën numerike të ngjarjes sizmike, ju njoftojmë se:
Më 10.02.2026, në ora 22:05 sipas kohës lokale, territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore (Prizren–Shtërpcë), është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter, respektivisht me intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
• Thellësia hipoqendrore: 5 km.
• Epiqendra: 23 km në lindje të Prizrenit.
• Koordinatat gjeografike: 42.144; 20.985.
Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
• Ruani qetësinë dhe informohuni vetëm nga burime zyrtare.
• Në rast të lëkundjeve të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien dhe shkaktojne lendime.
• Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës-shtyllave betoni.
• Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura.
• Mos përdorni ashensorët dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të automjeteve.
• Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime eventuale dhe ndihmoni personat në nevojë.
Çdo informacion shtesë do të komunikohet në kohë reale përmes institucioneve zyrtare. Numrat emergjent :112 , 193 ose 192 jane ne dispozicionin tuaj 24/7″, thuhet në njoftim.