Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka udhëzuar qytetarët se si të veprohet në rast të tërmetit – kjo pasi mbrëmë në Kosovë u ndje një tërmet prej 4.6 ballë Rihter, nuk u raportua për asnjë të lënduar teksa shumë qytetarë në qytete të ndryshme kanë dalur jashtë ndërtesave të banimit
Sipas njoftimit të ministrisë, qytetarët fillimisht duhet të ruajnë qetësinë në rast të tërmetit dhe të futeni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës, njofton Dukagjini.
“Gjatë tërmetit: Qëndroni të qetë dhe mos u panikosni; Futuni menjëherë nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës; Mbroni kokën dhe qafën me duar; Qëndroni larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien; Mos përdorni ashensorin; Nëse jeni jashtë, qëndroni larg ndërtesave, shtyllave elektrike dhe pemëve; Nëse jeni duke vozitur, ndaloni në një vend të sigurt dhe qëndroni brenda automjetit”, thuhet në udhëzimet e Ministrisë.
Po ashtu në njoftimin e ministrisë pas tërmetit, qytetarët udhëzohen që të dalin me kujdes nga objekti vetëm në rast se nuk është objekti i dëmtuar e po ashtu ka thënë se duhet përgatitur për lëkundje pasuese.
“Pas tërmetit: Dilni me kujdes nga objekti vetëm nëse është i dëmtuar; Kontrolloni për të lënduar dhe njoftoni shërbimet emergjente nëse është e nevojshme; Ndiqni vetëm njoftimet zyrtare nga institucionet përkatëse; Përgatituni për lëkundje pasuese. Siguria fillon me vetëdije dhe veprim të shpejtë. Respektimi i këtyre udhëzimeve ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për ju dhe familjen tuaj”, thuhet në njoftim.