E enjtja është shpallur ditë zie në provincën kanadeze të British Columbia-s, pasi një person i armatosur vrau tetë persona në Tumbler Ridge, në verilindje të provincës.
Dita e zisë u njoftua përmes një deklarate të përbashkët nga tre drejtuesit e grupeve parlamentare në legjislaturën provinciale: Udhëheqësi i Dhomës nga qeveria, Mike Farnworth; Udhëheqësja e Opozitës Zyrtare, Á’a:líya Warbus; dhe Udhëheqësi i Dhomës nga Partia e Gjelbër e BC-së, Rob Botterell, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Sulmi i tmerrshëm me armë dhe humbja tragjike e jetëve në Tumbler Ridge kanë tronditur këtë komunitet të vogël dhe kanë prekur njerëz në mbarë British Columbia-n, Kanadanë dhe në të gjithë botën,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Fjalimi i Fronit (Throne Speech), i cili ishte planifikuar të mbahej nesër për të shënuar ditën e parë të sesionit pranveror të legjislaturës, është shtyrë. Po ashtu, Asambleja Legjislative do të mbajë një minutë heshtje në mesditë për të nderuar viktimat, familjet e tyre dhe komunitetin e Tumbler Ridge.
“Njerëzit e British Columbia-s bashkohen në zi me banorët e Tumbler Ridge. Ne jemi të bashkuar dhe do të vazhdojmë të sigurojmë çdo mbështetje të mundshme për anëtarët e komunitetit në ditët në vijim,” vijon deklarata.