Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar 12 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se aksioni është realizuar në kuadër të hetimeve për aktivitete të kundërligjshme financiare, njofton Dukagjini.
“Prokurori i shtetit ka ndaluar 12 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Gjithashtu, janë sekuestruar para në cash dhe prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë në këtë proces penal”, tha Nikçi.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim, ndërsa ndaj të ndaluarve pritet të ndërmerren veprime të tjera procedurale në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.