Një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë Kurti 3, ekzekutivi i ri ka njoftuar se do ta zhvillojë mbledhjen e parë.
Sipas njoftimit, mbledhja do të nis nga ora 10:00, njofton Dukagjini.
Pika e parë ka të bëjë me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së për aranzhimet e zbatimit dhe përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (ZKM).
Në shqyrtim do të jetë edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Po ashtu, kabineti qeveritar do të shqyrtojë marrëveshjen e kredisë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në rend dite janë edhe dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim: njëra për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë, dhe tjetra për projektin “Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.
