Një 18-vjeçar është identifikuar si autori i sulmit me armë zjarri që la tetë persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në British Columbia, Kanada.
Policia njoftoi se i dyshuari, Jesse Van Rootselaar, u gjet i pajetë në vendngjarje nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri. Motivet e sulmit ende nuk dihen.
Gjashtë persona u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën në Shkollën e Mesme “Tumbler Ridge”. Dy viktima të tjera – nëna e autorit, 39 vjeç, dhe vëllai i tij i vogël, 11 vjeç – u gjetën të pajetë në një banesë pranë shkollës.
Sipas autoriteteve, ngjarja në banesë ka ndodhur fillimisht, përpara se 18-vjeçari të shkonte në ambientet e shkollës.
Mes viktimave në shkollë janë një mësuese 39-vjeçare, tre nxënëse 12 vjeç, si dhe dy nxënës meshkuj, një 12 dhe një 13 vjeç.
Policia bëri të ditur se nuk ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë në sulm. Autoritetet kishin ndërhyrë disa herë në banesën e familjes së autorit gjatë viteve të fundit, në disa raste për çështje që lidhen me shëndetin mendor.
Kryeministri i British Columbia, David Eby, deklaroi se i dyshuari kishte qenë i njohur për policinë dhe se autoritetet kanë nisur kontaktet me sistemin publik shëndetësor për të kuptuar ndërveprimet e mëparshme.
Sipas policisë, 18-vjeçari kishte pasur më herët një leje të vlefshme për armë, e cila kishte skaduar. Ai kishte braktisur shkollën “Tumbler Ridge Secondary” katër vite më parë.
Rreth orës 13:30 me orën lokale, policia mori një njoftim për një person të armatosur aktiv në shkollë. Oficerët mbërritën në vendngjarje brenda dy minutash, dëgjuan të shtëna dhe hynë menjëherë në ndërtesë. Brenda pak minutash, ata gjetën autorin të pajetë.
Në vendngjarje u sekuestruan dy armë zjarri – një armë e gjatë dhe një pistoletë e modifikuar – ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar përdorimin e tyre.
Dy nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitalit dhe vijojnë të jenë nën kujdes mjekësor.
Tumbler Ridge është një komunitet me rreth 2,400 banorë, ndërsa shkolla e mesme ka rreth 160 nxënës nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën.
Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se nxënësit dhe mësuesit “u përballën me një mizori të paimagjinueshme”, ndërsa disa prej të plagosurve vazhdojnë të luftojnë për jetën.
Kryetari i bashkisë së Tumbler Ridge, Darryl Krakowka, e përshkroi komunitetin si “një familje të madhe”, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështesin njëri-tjetrin në këtë moment të vështirë.
Nëntë të vrarë dhe mbi 25 të plagosur nga të shtënat në Kanada