Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave lidhur me vrasjen e P.G., e cila kishte ndodhur mbrëmjen e 1 shtatorit 2024 në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, pas një përleshjeje të armatosur mes dy grupeve të njohura si “Capat” dhe “Sekiraqa”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., V.A., D.M. dhe E.M., pjesëtarë të grupit “Capat”, më 01.09.2024 rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur me armë zjarri të gjata dhe të shkurtra, si dhe me mjete të forta. Ata kanë përdorur tri vetura (Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7), të cilave u kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura, me qëllim që të privojnë nga jeta S.S. dhe anëtarët e grupit të tij: F.A., E.LL. dhe R.LL.
Për këto veprime, ata akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 i KPRK-së.
Ndërkohë, i pandehuri S.S., së bashku me anëtarët e grupit të tij F.A., E.LL. dhe R.LL., akuzohen se, të përgatitur me armë zjarri dhe me qëllim të privimit nga jeta, gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve, në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin P.G., si dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe persona të tjerë. Për këto veprime, ata akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Po ashtu, i pandehuri V.B. akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas hetimeve, motivi i këtij rasti lidhet me një konflikt të mëhershëm të ndodhur më 4 mars 2024, ndërmjet SH.S., djalit të të pandehurit S.S., dhe P.G., vëllait të viktimës, konflikt që ka përshkallëzuar armiqësinë mes dy grupeve.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Historiku i përleshjes Capat-Sekiraqa, e kaluara e tyre kriminale