Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me autorizim të prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar që aktualisht ndodhet në arrati.
Sipas njoftimit, i dyshuari është Liridon Hajdar Podrimja, i lindur në vitin 1989 në Gjakovë.
Ai kërkohet për disa vepra penale, përfshirë kanosje ndaj personit zyrtar, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Policia bën të ditur se, bazuar në informacionet zyrtare, i dyshuari konsiderohet person i rrezikshëm dhe dyshohet se mund të posedojë armë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij, ta njoftojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike [email protected], aplikacionit “Lajmëro Policinë”, apo në stacionin policor më të afërt.