Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka propozuar deputeten Jehona Lushaku Sadriun për kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë.
Në njoftimin e tij, Abdixhiku theksoi se Jehona është një deputete me integritet, përgatitje akademike dhe përvojë politike, “por mbi të gjitha një bashkëpunëtore e ndershme dhe e përkushtuar në demokracinë parlamentare, në shtetin ligjor dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës – vlera që sipas tij janë themel i LDK-së”.
“Jam i bindur se në këtë përgjegjësi të re do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon. Mbi të gjitha, do ta përfaqësojë Lidhjen Demokratike të Kosovës me dinjitet dhe do ta bëjë krenar çdo mbështetës tonin, ashtu si edhe vetë qytetarët e Kosovës, për përfaqësimin parlamentar të LDK-së”, ka shkruar tutje Abdixhiku.