Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka zgjedhur vajzën e tij si trashëgimtare, ka bërë të ditur të enjten agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut për ligjvënësit.
Kim Ju Ae, e cila besohet të ketë 13 vjeç, është shfaqur në muajt e fundit pranë babait të saj në ngjarje të profilit të lartë, përfshirë vizitën e saj të parë jashtë vendit në Pekin në shtator.
Agjencia Kombëtare e Inteligjencës (NIS) tha se ka marrë parasysh “një gamë faktorësh”, përfshirë prezencën e saj gjithnjë e më të dukshme në ngjarjet zyrtare, për të arritur në këtë përfundim. NIS do të monitorojë gjithashtu nëse Ju Ae do të marrë pjesë në kongresin e partisë së Koresë së Veriut më vonë këtë muaj, ngjarja më e madhe politike që mbahet çdo pesë vjet.
Ligjvënësi Lee Seong-kwen tha për gazetarët se Ju Ae, e cila më parë ishte përshkruar nga NIS si “e trajnuar” për të qenë trashëgimtare, tani ndodhet në fazën e “caktimit si trashëgimtare”.
“Meqenëse Kim Ju Ae ka treguar praninë e saj në ngjarje të ndryshme, përfshirë përvjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane dhe vizitën e saj në Pallatin Kumsusan të Diellit, dhe janë zbuluar shenja se ajo shpreh mendimin e saj mbi politika të caktuara shtetërore, NIS beson se ajo tani ka hyrë në fazën e emërimit si pasardhëse”, tha Lee, raporton BBC.
Ju Ae është fëmija i vetëm i njohur i Kim Jong Un dhe gruas së tij, Ri Sol Ju. NIS beson se Kim Jong Un ka një djalë më të madh, por ky nuk është njohur kurrë apo shfaqur në mediat zyrtare të Koresë së Veriut.
Ekzistenca e Ju Ae u bë publike për herë të parë nga basketbollisti amerikan Dennis Rodman, i cili në vitin 2013 tregoi për gazetën The Guardian se kishte mbajtur në krahë “bebën Ju Ae” gjatë një vizite në Korenë e Veriut.
Që nga shfaqja e saj e parë në televizionin shtetëror në 2022, ajo ka shfaqur prezencë të shpeshtë në mediat shtetërore, duke zbutur imazhin e babait të saj si diktator i ashpër. Ajo e shoqëroi Kim Jong Un në Pekin për paradën më të madhe ushtarake në Kinë dhe shpesh shihet e veshur me rroba luksoze dhe me flokë të gjata, të ndaluara për bashkëmoshatarët e saj.
Ligjvënësi Park Sun-won tha se roli i Ju Ae në ngjarjet publike tregon se ajo ka filluar të japë input mbi politikat dhe trajtohet si udhëheqësja e dytë në praktikë.
Trashëgimia e pushtetit në Korenë e Veriut ka kaluar për tre breza nga familja Kim, dhe besohet gjerësisht se Kim Jong Un do t’ia dorëzojë fronin vajzës së tij.
Në muajt e fundit, Ju Ae është parë duke qëndruar më e gjatë se babai i saj dhe duke ecur pranë tij, në vend që ta ndjekë atë, një simbol i rëndësishëm në fotografitë zyrtare të vendit.