Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka kundërshtuar para gjykatës pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) se komunikatat e UÇK-së bazoheshin në informacionet e inteligjencës të siguruara nga klienti i tij.
Sipas Dixon, nuk ekziston asnjë provë që të mbështesë këtë akuzë, njofton Dukagjini.
Gjatë fjalës së tij, Dixon thekson se përpjekja e Prokurorisë për të lidhur Veselin me këto komunikata duket se është e vetmja mënyrë për të krijuar një lidhje mes tij dhe krimeve të pretenduara.
“Nuk ka asnjë pikë prove. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar nga ZPS-ja për të fajësuar klientin tim, pa ofruar prova konkrete. Është e nevojshme që të krijohet kjo lidhje në mes Veselit dhe komunikatave në njëfarë mënyre sepse kjo është e vetmja mënyrë që lidhet ai me krimet. Megjithatë, kjo është një mënyrë dëshpëruese e ZPS-së për ta fajësuar klientin tim dhe nuk jep asnjë provë që e mbështetë dhe e konfirmon këtë. Gjuha që ka përdorur dhe formulimi që ka përdorur ZPS-ja është e vagullt, është e përgjithshme. ZPS-ja thotë se; Kadri Veseli ka marrë, ka vlerësuar dhe ka transmetuar, ka dhënë informacion inteligjent që ka formuar bazën e komunikatave”, u shpreh Dixon.
Dixon shtoi se nuk është e qartë se për çfarë informacioni inteligjent bëhet fjalë dhe se kujt ia ka dhënë këtë informacion.
“ZPS-ja nuk sqaron për shembull nëse Veseli i ka hartuar, shpërndarë, ose dhënë për palë të tjera këto komunikata. Kjo është e rëndësishme sepse në të kundërtën janë fjalë bosh. Në qoftë se ti ngre një pretendim të tillë, është e rëndësishme që të japësh fakte dhe të konfrmosh pretendime të tilla”, tha ai.