Zona të gjera të Spanjës dhe Portugalisë janë vendosur në gatishmëri të lartë këtë të enjte, pasi reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë goditur gadishullin Iberik, duke rrëzuar pemë, ndërprerë transportin dhe detyruar mbylljen e shkollave në disa zona.
Një person ndodhet në gjendje të rëndë pasi u godit nga një pemë e rrëzuar në rajonin verilindor të Katalonjës, në Spanjë, si pasojë e stuhive të fundit që kanë prekur rajonin gjatë javëve të fundit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Autoritetet spanjolle shpallën alarm të kuq – niveli më i lartë i rrezikut – në rajonet veriore të Galicias, Kantabrias dhe Baskisë pas mbërritjes të mërkurën të stuhisë “Nils”, e teta që godet Spanjën këtë vit.
Agjencia meteorologjike AEMET paralajmëroi për dallgë që mund të arrijnë deri në nëntë metra lartësi.
Në Katalonjë, autoritetet pezulluan mësimin dhe aktivitetet sportive, si dhe kufizuan shërbimet shëndetësore jo emergjente, ndërsa erërat me shpejtësi mbi 105 kilometra në orë rrëzuan pemë dhe shkaktuan ndërprerje në trafikun rrugor dhe hekurudhor.
Të paktën pesë persona janë lënduar nga erërat e forta në këtë rajon, përfshirë edhe personin që ndodhet në gjendje të rëndë, bëri të ditur Nuria Parlon, drejtuesja e departamentit të brendshëm të Katalonjës, për radion RAC1.
Shërbimet e mbrojtjes civile në Katalonjë dërguan një njoftim emergjent në celularë, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Të paktën 40 fluturime nga ose drejt aeroportit “El Prat” të Barcelonës janë anuluar, sipas operatorit aeroportual Aena. Aeroporti vijon të jetë funksional, por me kufizime që mund të sjellin vonesa dhe anulime të tjera.