I pandryshuar ka mbetur vetëm numri i ministrive që Albin Kurti i ka përfshirë në dy kabinetet e propozuara në Kuvend brenda 3 muajsh.
Në përbërjen e prezantuar në fund të tetorit, e cila dështoi të miratohej në mungesë votash, Kurti përfshiu 19 ministri.
E, po aq do t’i ketë edhe në kabinetin e ri, që nënkupton katër ministri më shumë sesa në qeverinë “Kurti 2”. Vetëm 25 për qind e kabinetit Kurti 3 janë gra.
Mes dy kabineteve të propozuara, Kurti ka bërë disa ndryshime në emrat e ministrave.
Avni Zogiani që ishte propozuar në tetor për ministër të Arsimit dhe Shkencës është larguar nga lista, për t’u zëvendësuar me Hajrulla Çekun, i cili do ta drejtojë këtë ministri.
Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit do ta drejtojë Saranda Bogujevci, ndonëse fillimisht për këtë pozitë ishte propozuar artisti Fatmir Spahiu.
Ndryshime ka pasur edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Më parë ishte propozuar që atë ta udhëheq Rasim Demiri, ndërsa mbrëmë Kurti e propozoi për ministër Elbert Krasniqin, i cili e ka drejtuar këtë ministri gjatë mandatit të kaluar.
Kurse Demirit i është besuar drejtimi i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, të cilën ishte propozuar në fillim ta udhëhiqte Sejnur Vejshall.
Jashtë kabinetit të ri ka mbetur Besnik Bislimi, krahu i djathtë i Albin Kurtit, i cili për 5 vjet ka qenë zëvendëskryeministër i parë dhe kryenegociator në dialogun me Serbinë.
Ndërsa, modifikime ka pasur edhe në emërtimin e disa ministrive.
Ministria e që do të drejtohet nga Andin Hoti, fillimisht ishte emërtuar si “Ministria për Familje dhe Mirëqenie Sociale”, asaj tani i është hequr “mirëqenia sociale” edhe i janë shtuar “vlerat e luftës çlirimtare”.
Kurse “integrimet evropiane” janë hequr nga emërtimi Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kurse asaj i është shtuar “inovacioni”.
Gjatë mandatit të tretë në krye të Qeverisë, Albin Kurti do t’i ketë në kabinet katër anëtarë me aktakuza për vepra penale si korrupsioni dhe hedhja e gazit lotsjellës.