Kuvendi i Kosovës ka nisur shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Për procedimin e këtij projektligji është kërkuar shmangia e afateve të rregullta procedurale, por një propozim i tillë është kundërshtuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njofton Dukagjini.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, u shpreh se Ligji për Buxhetin nuk mund të trajtohet me procedura të përshpejtuara dhe pa respektuar rregullat parlamentare.
Ai paralajmëroi se, në mungesë të një mirëkuptimi politik, LDK nuk do ta mbështesë projektligjin.
Abdixhiku theksoi gjithashtu se në një çështje kaq të rëndësishme duhet të jetë i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas siç tha ai debati për buxhetin kërkon seriozitet maksimal dhe përfshirje direkte të kreut të ekzekutivit.
“Është e domosdoshme të jetë këtu kryeministri. Le të vijë ta diskutojmë me përgjegjësi. Nëse nuk ka mirëkuptim, LDK nuk do ta votojë”, deklaroi ai.