SHBA shton presionin ndaj Iranit, Trump flet për zëvendësim të regjimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, në një nga qëndrimet e tij më të qarta deri tani për zëvendësimin e establishmentit klerikal në Teheran.

“Për 47 vjet, ata vetëm kanë folur e folur. Ndërkohë, kemi humbur shumë jetë”, u shpreh ai të premten.

Trump nuk specifikoi se kë do të preferonte në krye të Iranit, por theksoi se “ka njerëz” që mund ta marrin drejtimin. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ende nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave.

Ndërkohë, SHBA-ja ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme, duke rritur presionin ndaj Iranit për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.

Anija luftarake USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe dhe më e re amerikane, pritet të zhvendoset “shumë shpejt” nga Karaibet drejt Lindjes së Mesme, sipas Trump. Ai publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi ajrore të anijes, e cila duket në lëvizje për t’iu bashkuar aeroplanmbajtëses tjetër amerikane, USS Abraham Lincoln, tashmë e dislokuar në rajon.

Pentagoni e kishte dërguar aeroplanmbajtësen në janar, pasi SHBA-ja kërcënoi me sulme ndaj Iranit për të ndalur shtypjen e protestave masive, gjatë të cilave u raportua për mijëra të vrarë.

Valët e protestave përbënin ndër trazirat më të mëdha në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, i cili vendosi sistemin klerikal të udhëhequr nga Lideri Suprem.

Megjithëse Trump ka paralajmëruar sulme nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore, ai deklaroi pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet me Teheranin do të vazhdojnë.

Duke folur në Fort Bragg, ai tha se Irani duhet “të na japë një marrëveshje që duhej ta kishte dhënë që herën e parë”, kur u pyet se çfarë duhet të bëjë për të shmangur një sulm.

SHBA-ja kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit, ndërsa qeveria e Netanyahut insiston që Teherani të heqë dorë nga programi i raketave balistike dhe mbështetja për grupet aleate si Hamas dhe Hezbollah.

Irani ka sinjalizuar se është i gatshëm të kufizojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, paralajmëroi se vendi “nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të tepruara”.

Trump ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e arritur gjatë administratës së Barack Obama në mandatin e tij të parë dhe rivendosi sanksione të ashpra, që goditën rëndë ekonominë iraniane.

Administrata amerikane rifilloi bisedimet vitin e kaluar për një marrëveshje të re, para shpërthimit të konfliktit 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika