Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama bën të ditur se do ta mbështes marshin e 17 shkurtit, e organizuar nga “Liria ka Emër”.
Kryetari Rama theksoi se ky marsh që do të mbahët më 17 shkurt në Prishtinë, është një çështje kombëtare dhe jo vetëm partiake. Ai shtoi se duhet mbështetur përtej interesave politike.
Rama në një konferencë për media theksoi se përveç pjesëmarrjes në marsh, do të sigurohet që Trafiku Urban të funksionojë pa pagesë për qytetarët gjatë ditës së martë.
“Patjetër që po. Kam thënë që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i kam i përkrahur gjithmonë edhe si kryetar edhe si institucion. Ne përveç që kemi ndihmuar proceset edhe më parë, i çmojmë dhe i vlerësojmë dhe duhet me i lartësua përtej partive politike, sepse kjo është çështje kombëtare. Po ashtu edhe këtë herë do jem aty dhe do të kemi edhe Trafikun Urban në shërbim të qytetarëve pa pagesë po në atë ditë”, tha Rama.
I pyetur nga mediat se a e përkrah LDK-ja marshin e 17 shkurtit, pasi që nuk ka votuar Rezolutën në Kuvendin e Kosovës, Rama tha se LDK-ja nuk ka qenë kundër, por nuk ka votuar, shkak i kërkesës së një pike shtesë e cila nuk u realizua.
“E di që as LDK-ja nuk ka qenë kundër përkrahjes të asaj rezolute, kanë kërkuar një pikë shtesë dhe si rezultat nuk e kanë votuar, nuk ka qenë që nuk e ka përkrah, jemi në përkrahje të vlerave të UÇK-se gjithmonë”, tha rama.
Me 90 vota për 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ditë më parë Rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Pro rezolutës kanë votuar deputetët e PDK-së, Vetëvendosje dhe AAK-së. Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë fare në votim, ndërsa deputetët e Listës Serbe e kanë lëshuar sallën para votimit.
Marshi i organizuar nga “Liria ka Emër” – “Drejtësi, jo politikë” do të mbahet me 17 shkurt në ora 14:00 për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./KP