Izraeli njoftoi të hënën se po i jep Hamasit 60 ditë për të hequr dorë nga armët e tij, duke paralajmëruar se operacionet ushtarake mund të rifillojnë nëse grupi nuk i përmbahet këtij ultimatumi.
Hamasi “do të duhet të heqë dorë nga të gjitha armët e tij”, përfshirë pushkët, tha Sekretari i kabinetit izraelit, Yossi Fuchs gjatë një konference në Jerusalem, siç u citua nga portali i lajmeve The Times of Israel.
Fuchs pretendoi se periudha 60-ditore u kërkua nga administrata amerikane.
“Ne po e respektojmë këtë”, citohet të ketë thënë ai.
Pa konfirmuar se kur do të fillojë saktësisht ultimatumi, Fuchs theksoi se mund të fillojë me takimin e 19 shkurtit të Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Ne do ta vlerësojmë atë”, tha Fuchs. “Nëse funksionon, shkëlqyeshëm. Nëse jo, atëherë IDF (ushtria) do të duhet ta përfundojë misionin”.
Kujtojmë se një marrëveshje armëpushimi e mbështetur nga SHBA-të ka qenë në fuqi në Gaza që nga 10 tetori, duke i dhënë fund luftës dyvjeçare të Izraelit që ka vrarë më shumë se 72,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171,000 të tjerë që nga tetori i vitit 2023.
Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes më 10 tetor, forcat izraelite kanë kryer qindra shkelje përmes granatimeve dhe të shtënave me armë zjarri, duke vrarë 603 palestinezë dhe duke plagosur 1,618 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit filloi në mesin e janarit dhe përfshin dispozita që lidhen me çarmatosjen e Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze në Gaza.
Hamasi ka hedhur poshtë thirrjet për të dorëzuar armët e tij, duke propozuar në vend të kësaj që ato të “ruhen ose të ngrihen”.
Grupi thekson se është një lëvizje rezistence kundër Izraelit, të cilin OKB-ja e konsideron fuqi pushtuese në territoret palestineze.