BE: Statusi i institucioneve shëndetësore e arsimore serbe do të zgjidhet në dialog

Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore e arsimore që Serbia vazhdon t’i mbështesë në Kosovë pritet të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, një zëdhënës i Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo çështje do të trajtohet në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

Sipas BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se procesi i integrimit do të zhvillohet në konsultim me serbët e Kosovës dhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore në komunat me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë sipas sistemit të Serbisë dhe janë ndër të vetmet struktura që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur deri më tani.

Që nga fillimi i këtij viti, çështja e integrimit të tyre në sistemin kosovar është rikthyer në fokus.

Më 16 janar, Kurti bëri të ditur se integrimi i këtyre institucioneve do të koordinohet me BE-në dhe se do të merren parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se cilat modele integrimi po shqyrtohen dhe nëse procesi do të lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç kërkon Beogradi.

Asociacioni ishte paraparë fillimisht në vitin 2013 dhe përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të pranuar nga Kosova dhe Serbia më 2023.

Sipas draft-statutit të hartuar nga BE-ja, ai do të duhej të rregullonte edhe çështjen e financimit nga buxheti i Serbisë.

Ndërkohë, paralajmërimi për nisjen e integrimit përkon me zbatimin e fazës së parë të Ligjit për të huajt, që do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informuese. Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e këtyre institucioneve, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të duhet të pajisen me leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika