Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar juristin Sir Geoffrey Nice, i shoqëruar nga avokati Taulant Hodaj.
Sir Geoffrey e përgëzoi Kurtin për rizgjedhjen dhe angazhimin e tij në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e mëparshëm të Nice me Qeverinë e Kosovës dhe për çështje që lidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.
“Sir Geoffrey Nice është jurist dhe avokat i njohur ndërkombëtarisht, me një karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare publike. Ai ka shërbyer si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku ka udhëhequr ndjekjen penale në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit. Përvoja e tij e gjerë në trajtimin e krimeve ndërkombëtare, përgjegjësisë shtetërore dhe çështjeve komplekse juridike e ka bërë atë një nga emrat më të respektuar në këtë fushë. Ai ka këshilluar edhe qeveri të mëparshme të Republikës së Kosovës lidhur me një mori çështjesh juridike që ndërlidhen me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Kurti e informoi për përpjekjet e Qeverisë për të përkrahur të akuzuarit në këtë gjykatë, ndërsa Nice shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti dhe z. Nice biseduan për bashkëpunimin e tij të mëhershëm me Qeverinë e Kosovës, si dhe për një mori temash që ndërlidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe funksionimin e Gjykatës Speciale. Në veçanti, Kryeministri e informoi z. Nice për përpjekjet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur, në forma të ndryshme dhe brenda kornizës ligjore, të akuzuarit e kësaj Gjykate. Nga ana e tij, z. Nice shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në njoftim.